PROGRAMI I PARTISE SOCIALISTE

 

 

Programi i PS

 

Qëllimisht partia nuk është as kryefjala dhe as fjalëkyçi i këtij teksti të hapur, por vetëm një pjesë e rëndësishme e tij. Sepse ne besojmë që vizioni ynë europian nuk është i yni, por i paraardhësve e i pasardhësve tanë. Ashtu siç nuk është vetëm e jona ambicia e Shqipërisë së re Sociale, të cilën janë me qindramijëra shqiptarët që e synojnë. As nevoja e një ndarjeje të prerë me politikën e vjetër të së shkuarës, përmes një rruge të re ku shqiptarët në tërësi me plot dëshirë duan të ecin, nuk është vetëm e jona. Nuk është vetëm e jona as sfida e një solidariteti të ri, mishëruar në një kontratë sociale ku cdo e drejtë është një përgjegjësi e ku, pa asnjë dyshim, një numër shumë herë më i madh bashkëqytetarësh sesa numri i anëtarëve të partisë sonë janë gati të nënshkruajnë. Kauza jonë është më e madhe sesa Partia Socialiste dhe prandaj na duhet një forcë e madhe sa kauza jonë. Sot, 16 vjet pas lindjes së partisë së socialistëve shqiptarë, shoqëria shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me 16 vjet më parë dhe mes saj e politikës është krijuar vit pas viti një hendek i madh. Partia Socialiste duhet të ndahet prerazi nga politika që nuk ka veshë t’i dëgjojë shqiptarët e as gojë që t’u flasë për problemet e tyre, nga politika që nuk ka zemër t’i ndjejë vështirësitë e shpirtrave kërkues të këtij vendi dhe as farën e pasionit që entuziazmon njerëzit, nga politika që s’mund të transmetojë energji e vlera, të përfshijë qytetarët e komunitetet në një projekt të ri shprese. Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të jetë instrumenti i cdo shqiptari që do të ndryshojë jetën e tij, i cdo të riu që do të ndryshojë botën rreth tij, i cdo gruaje që do të ndryshojë pozicionin e saj shoqëror, i cdo familjeje që do të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë, i çdo punëmarrësi që do të ndryshojë kushtet e punës dhe i çdo sipërmarrësi që do të ndryshojë cilësinë e shërbimit a të teknologjisë, i çdo organizate jotofitimprurëse që do të ndryshojë diçka sado të vogël në shoqëri, i çdo komuniteti që do të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike, i çdokujt që do të ndryshojë cilësinë e jetës. Ky është një tekst i pambaruar. Një tekst i hapur. Eshtë konceptuar si i tillë. Për t’u lënë të tjerëve rradhën të shtojnë atë çka mungon, me vërejtjet, kritikat, sugjerimet konkrete. Të cilat shpresoj do të lindin nga leximi i këtyre rreshtave që skicojnë Programin e Ri Politik të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Vizioni ynë: Shqipëria Europiane. Misioni ynë: Shqipëria e Re Sociale. Rruga jonë: Politika e Re. Sfida jonë: Cdo e drejtë një përgjegjësi Fuqia jonë: Partia Socialiste e Shqipërisë.

 

NE BESOJME

Ne besojmë tek Shqipëria dhe shqiptarët. Atdheu ynë ka një histori të gjatë mbijetese, përgjatë së cilës shqiptarët kanë treguar se dinë t’ia dalin mbanë. Sot ata janë përsëri dëshmi e një energjie dhe aftësie të rrallë për t’u përshtatur me kohën e me hapësirën e re të pas vitit ’90. E kanë lënë pas të shkuarën duke pranuar sfidën e hapjes dhe ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës në funksion të integrimit në një botë rregullash krejt të reja për ta. Dhe duke arritur, në jo pak raste, të ngrenë në këmbë sipërmarrje mbresëlënëse, të nxjerrin në pah dhunti të veçanta në realitete të vështira gjeografike, ekonomike, sociale apo të ngjisin shkallë karrierash të admirueshme edhe nëpër botë. Ne besojmë tek një Shqipëri e respektit dhe besimit tek çdo njeri. Në atdheun tonë nuk duhet të dështojë askush për shkak të gjinisë, fesë, krahinës, minoritetit apo përkatësisë politike. Sot, për fat të keq, janë të shumtë ata që nuk arrijnë të japin gjithshka munden, për shkak se rëndom aftësia shpërfillet dhe merita nuk respektohet. Atdheu ynë duhet të jetë njësoj i hapur e besimplotë ndaj burrave dhe grave, të cilave duhet t’u ofrojë shanse e mundësi të barabarta me burrat. Shqipëria e mosbarazpeshës së madhe gjinore nuk është vendi që duam t’u trashëgojmë brezave që vijnë. Tek barazia gjinore ne shohim një nga burimet e pashfrytëzuara të zhvillimit demokratik, shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë. Ne besojmë tek një Shqipëri e punës dhe e shpërblimit sipas punës. Shqipëria është një vend ku me energji të mëdha individuale ndërtohen shtëpi, krijohen sipërmarrje, prodhohen të mira materiale. Në këtë vend, ku ka një dëshirë të madhe individuale për sukses ekonomik, duhet të ketë edhe një ambicie të re shoqërore për zhvillim ekonomik përmes një vlerësimi të ri për punën, një tregu të ri të punës e një shpërblimi të merituar me punë. Papunësia s’mund të mbetet një sëmundje e pakuruar shoqërore, e cila rëndohet vit pas viti. Çdo shqiptar duhet të gëzojë të drejtën e punës dhe askush nuk duhet të privohet nga mundësia për të jetuar me punë të ndershme e për të përgatitur përmes punës të ardhmen e fëmijëve të tij. Ne besojmë tek një Shqipëri solidare me çdo shqiptar në vështirësi. Jo të gjithë i’a dalin vetë për njëmijë e një arsye. Ende shumë ndër ne jetojnë nën minimumin jetik. Plot të tjerë nuk arrijnë të shkollojnë fëmijët e tyre. Të tjerë akoma detyrohen të braktisin atdheun në pamundësi të një pune e të një strehe. Asnjë shqiptar nuk duhet të ndjehet i vetmuar në Shqipërinë ku ne besojmë e ku për secilin duhet të ketë një shans për të dalë nga kurthi i varfërisë e i përjashtimit social. Ne besojmë tek një Shqipëri dashamirëse me natyrën. Atdheu ynë është i bukur dhe i pasur, por seriozisht i rrezikuar nga shëmtimi dhe varfërimi për shkak të dorës së njeriut, e cila tradicionalisht ka qenë e pakujdesshme me të, por veçanërisht pas rënies së diktaturës komuniste, i ka shkaktuar tokës, ajrit, detit, plagë rrëqethëse. Një përmasë e re ekologjike është esenciale për zhvillimin e qëndrueshëm dhe modernizimin e shoqërisë sonë. Mbrojtja e mjedisit duhet të bëhet prioriteti jetik i çdo shqiptari dhe sfida globale për mbrojtjen e tij në një betejë të përbotshme për të frenuar ngrohjen e planetit duhet të bëhet edhe sfida jonë. Ne besojmë tek një Shqipëri që jeton me të vërtetat e thjeshta të shqiptarëve. Shqiptarët janë të neveritur nga demagogjia rraskapitëse, nga partitë e tkurrura në guackën e tyre, nga qeverisjet që dështojnë njëra pas tjetrës, nga institucionet që nuk funksionojnë, nga administratat partizane, nga lëmoshat që shpërndan shteti, nga mungesa e plotë e transparencës në shpenzimet publike dhe arroganca tradicionale e pushtetit në marrëdhëniet me sipërmarrjen e me jetën e tyre private. Ata, duan me plot të drejtë, një politikë të re që ka fuqinë e tyre dhe që e refuzon të vjetrën, stanjacionin, bajraktarizmin, avashllëkun, mediokritetin, në kërkim të një fati më të mirë. Kthimi i të vërtetave të thjeshta të shqiptarëve në ushqimin e politikës së re është një domosdoshmëri për të bërë reformat rrënjësore që lypsen për realizimin e misionit tonë. Ne besojmë tek një Shqipëri që ndryshon. Jetojmë në një kohë e hapësirë të re ku fjala kyçe është ndryshimi dhe ku, bashkë me shqiptarët që ndryshojnë përditë, duhet të ndryshojë edhe shtëpia jonë e përbashkët. Ne duhet të jemi zëdhënësit, realizuesit dhe garantët e këtij ndryshimi duke u ndarë nga politika e vjetër e së shkuarës, duke ndryshuar rrënjësisht përqasjen tonë ndaj problemeve të mëdha të Shqipërisë dhe mënyrën tonë të komunikimit me bashkëqytetarët, duke ndërtuar një shtet të ri modern përmes një fryme të re dialogu e bashkëpunimi me të gjithë shqiptarët. Ne besojmë tek një Shqipëri e respektuar në Europë. Shqipëria e krimit, korrupsionit dhe informalitetit nuk është atdheu ynë dhe s’do të jetë barra që do u lemë në kurriz fëmijëve tanë. Ky imazh me të cilin politika e vjetër e urrejtjes, stanjacionit dhe hipokrizisë e ka damkosur atdheun tonë në sytë e botës, duhet të fshihet në emër të shqiptarëve që e vuajnë prej më shumë se një dekade dhe që me të drejtën e zotërve të këtij vendi kërkojnë një Shqipëri të Re. Europiane, Moderne dhe Sociale. Ne besojmë tek kjo Shqipëri e Re dhe jemi të bindur se mund e do ta ndërtojmë përmes një politike të re, e cila do të krijojë kushtet për sukses individual të secilit në një mjedis ku edukimi, punësimi dhe integrimi do të jenë objektiva të arritshëm nga burra e gra të barabartë mes tyre pavarësisht gjinisë, fesë, krahinës, minoritetit apo bindjeve politike.

 

EUROPA…

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kjo qe thirrja që doli nga kraharori i Lëvizjes Demokratike, ëndrra e ndaluar dhe brenga e pandashme e një Shqipërie në portat e Europës. Një ëndërr e jetuar në luftra të hershme e moderne. Endërr e fshehur, e torturuar, e gjakosur, e vrarë, e ringjallur dhe e rivrarë. Endërr e kthjelluar veç në ëndrra murgjish, gjuhëtarësh, poetësh, heronjsh, martirësh dhe e mjegulluar, kallkanosur, varrosur në shkretëtira të pafundme politike. Endërr arratiakësh dhe brengë atdhetarësh që e formësoi vizionin tonë politik jo vetëm si imperativin e një kohe të re, por edhe si një amanet për t’u çuar në vend. E duam Europën jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe për të gjithë ata që qorrazi e kërkuan në kohë të tjera dhe lanë kockat duke ndjekur kushedi ç’zë të brendshëm, për t’u endur mëpastaj si hije në faqet e historisë së ndaluar derisa zbardhi dita e Lëvizjes Demokratike. E vërteta është se askush ndër ne atë ditë të bardhë nuk do ta kish besuar se shtatëmbëdhjetë vjet më vonë Shqipëria s’do ishte si gjithë Europa. Bile do të ishte më larg sesa afër Europës. Sepse sot, shtatëmbëdhjetë vjet këtej asaj thirrjeje, Europa fluturon me shpejtësi përpara në hapësirën marramendëse të transformimeve të realitetit të ri global, kurse atdheu ynë ecën ngadalë, brenda kornizës gjithnjë e më të ngushtë të politikës së tij të vjetër, vend gjithnjë e më i vockël në një botë gjithnjë e më të madhe. Të ndjesh përgjegjësinë për këtë hendek që thellohet, pa u fshehur pas ecurisë së proçesit burokratik të integrimit, i cili kështu mund të zgjasë pafundësisht, do të thotë ta vendosësh Europën në qendër të politikës. Jo si një ëndërr me sy hapur, as si një objektiv pa afat apo një shabllon të përsëritur deri në mërzi gjatë ushtrimeve demagogjike përpara publikut, por si një vetëdije të brendshme individuale e kolektive që dikton natyrën e çdo komunikimi, përbën esencën e çdo nisme politike e qytetare dhe mishërohet në përmbajtjen e çdo produkti të qeverisjes. Të ndjesh përgjegjësinë për këtë hendek që thellohet, pa gënjyer as veten e as shqiptarët me imazhet dhe deklaratat rutinë për progres që pasojnë takimet me miqtë tanë europianë, do të thotë ta kërkosh Europën në kartën tonë të identitetit, në zyrat ku shteti pret qytetarin, në sjelljen e policit apo të agjentit tatimor, në cilësinë e shërbimit të transportit publik apo të urgjencës mjekësore, në sistemin tonë të mbrojtjes sociale. Do të thotë ta kërkosh Europën në numrin e çerdheve, në gjendjen e kopshteve, në tekstet e librave shkollorë, në nivelin e sigurinë e gjimnazeve dhe në jetën jashtëshkollore të adoleshentëve tanë, në sistemin tonë universitar dhe në cilësinë e burimeve njerëzore që dalin prej tij. Do të thotë ta kërkosh Europën në ambulancat e në spitalet tona. Do të thotë ta kërkosh Europën në rrugët e pasigurta të vendit tonë, në pejsazhin buzë tyre që gëlon nga plehrat, në pyjet që priten edhe tani tek komunikojmë, ashtu siç gërryhen lumenjtë, siç ndotet ajri i qyteteve apo masakrohen plazhet tona të pakthyeshme. Do të thotë ta kërkosh Europën në komunitetet tona të kapura në fyt prej papunësisë e të kërcënuara prej krimit e drogës. Do të thotë ta kërkosh Europën në ishujt e varfër të jetës sonë kulturore, ku rrallëherë fryn ndonjë fllad i matanë detit, po ku ligjin e bën kultura e vjetër e së shkuarës dhe e të folurit me vete e për veten. Të ndjesh përgjegjësinë për këtë hendek, që duhet mbyllur medoemos dhe një orë e më parë, përpara sesa të rrezikojë edhe të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi me të cilin politika e vjetër është sjellë si pushtuese, do të thotë ta gjesh Europën në zemrën tënde kur, me të mbërritur në majë të një mali me vështirësi, sheh vetëm male të tjerë. Sot ne e ndjejmë këtë përgjegjësi. Europa është vizioni ynë.

 

SHQIPERIA E RE SOCIALE

Shqipëria e sotme është në një krizë demokratike. Varfëria e ulur këmbëkryq në mes tonë, papunësia kronike, bajraktarizmi si stil qeverisës, korrupsioni i kthyer në sistem, moria e ligjeve të pazbatuara, uzurpimi partiak i administratës publike, kultura e gënjeshtrës, shpifjes, denigrimit të personit dhe trajtimit të kundërshtarit politik si armik, zhvleftësimi në të gjitha nivelet i normës së respektit për tjetrin e për punën e tjetrit, degradimi i autoritetit të shtetit, të institucioneve publike e të moralit të bashkëjetesës shoqërore, shkatërrimi i përditshëm i mjedisit dhe padrejtësia e kthyer në ves shtetëror, e kanë bërë tranzicionin shqiptar më të gjatin, por edhe pa asnjë dyshim, më cflilitësin për qytetarët e dalë nga ferri i diktaturës së Lindjes. Misioni ynë është të hapim një faqe të re në jetën e Shqipërisë, të demokracisë shqiptare, të institucioneve tona, me bindjen se në faqen e vjetër të tranzicionit nuk ka më vend për durimin e bashkëqytetarëve tanë. Ky tranzicion duhet mbyllur duke e refuzuar kategorikisht kapitalizmin pa moral dhe etikë që ka vënë sot përfund shoqërinë shqiptare. Na duhet një Parti Socialiste e aftë që të bëhet udhërrëfyesi moral dhe politik i Shqipërisë, për ta zhvilluar Shqipërinë në përshtatje me ambicien legjitime të shqiptarëve, për t’i dhënë asaj shtysën e madhe që i duhet në krijimin e një identiteti modern. Europian dhe Social. Ne nuk dyshojmë se dora e tregut e orienton ekonominë më mirë sesa dora e shtetit, por mbrojmë bindjen se konkurenca e lirë dhe logjika e tregut nuk mund të zgjidhin problemet e ndërlikuara të edukimit, shëndetit, kulturës, mjedisit, mbrojtjes dhe strehimit social apo urbanizimit. Ne mbështesim ekonominë e tregut jo shoqërinë e tregut. Ekonomia e tregut nuk mund të funksionojë pa rregullat dhe institucionet që nuk lejojnë që i pasuri të bëhet gjithnjë e më i pasur ndërkohë që të varfërit shtohen e varfërohen gjithnjë e më shumë, që mbrojnë të dobëtin në marrëdhëniet me të fortin, që bëjnë të respektohet prona dhe garantojnë një konkurencë jo vetëm të lirë, por edhe të ndershme. Ekonomia e tregut nuk mund të funksionojë pa u mbështetur e financuar nga jashtë tregut prodhimi i atyre të mirave dhe shërbimeve për të gjithë, të cilat dora e tregut nuk mund të jetë e nxitur t’i prodhojë vetë për shkak të përfitimit të pamjaftueshëm. Ekonomia e tregut dhe Shteti si shprehje e një vullneti kolektiv përballë të gjitha vullneteve individuale, janë për ne forca komplementare që duhet të qëndrojnë në ekuilibër për të mishëruar Shqipërinë e Re Sociale. Për ne, bashkë me socialdemokracinë e shekullit të shkuar, ka vdekur edhe iluzioni i zëvendësimit të themeleve të ekonomisë së tregut me fuqinë e përqëndruar të kontrollit shtetëror. Zëvendësimi i konkurencës së tregut me mbrojtjen strategjike të shtetit është një ëndërr e fashitur nga horizonti i socialistëve të shekullit të ri. Por, më anë tjetër, ne jemi vendosmërisht kundër formave të kapitalizmit banditesk, ku logjikën e tregut e dikton informaliteti, arbitrariteti, dhuna, dhe ku konkurencën e lirë e asfiksojnë klientët strategjikë të pushtetit. Shqipëria e Re Sociale do të jetë një demokraci ekonomike e bazuar në transparencën e tregjeve, nxitjen e sipërmarrjes dhe mbrojtjen e konsumatorëve, respektin e rregullave të konkurencës e të pluralizmit ekonomik, dialogun social dhe inkurajimin e përfshirjes së punonjësve në sipërmarrje. Shqipëria e Re Sociale do të jetë një demokraci sociale e bazuar në jetësimin e plotë të të drejtave kushtetuese – ku e drejta për punë duhet të zerë vendin që i takon -, në krijimin e një rrjeti solidariteti që promovon parimin e efikasitetit të kontributit social, në vlerësimin e komuniteteve vendore, të organizmave jofitimprurës apo të nismave të ndryshme nga sektori privat që kontribuojnë për kohezionin social. Shqipëria e Re Sociale do të jetë një demokraci politike që promovon aftësinë e institucioneve për të përfaqësuar shoqërinë, që vlerëson autonominë e pushteteve vendorë, që di të nxisë qytetarinë aktive dhe pasurojë përmbajtjen qytetare të bashkëjetesës shoqërore, që vendos, zgjedh e qeveris ndryshe, me një kulturë të re të përgjegjësisë e të aksionit, me kulturën e rezultatit e të detyrimit qytetar për të vepruar në funksion të interesave të vendit e të shoqërisë. Atdheu ynë ka nevojë për një shtet modern që të mos merret me gjithshka e të mos përzihet në çdo gjë, që të mos e humbasë paanshmërinë me urdhëra nga lart e të mos bëhet kurrë më dot siç është sot, armë e partitizmit, vegël e klientelizmit, shërbëtor i nepotizmit. Shteti duhet t’u kushtojë shqiptarëve më pak dhe t’u garantojë shërbime katërcipërisht më cilësore sesa aktualisht. Shqipëria ka nevojë për një shtet modern që nuk ngurron të veprojë për të garantuar sigurinë e çdo shqiptari, drejtësinë sociale dhe interesin publik. Një shtet që nuk duhet ta frenojë po ta mishërojë dhe nxisë kudo e sistematikisht shpirtin krijues, progresist, emancipues, sipërmarrës, modernizues. Shqiptarëve u duhet një shtet modern që nxit rritjen e cilësisë së jetës, të edukimit, të mjedisit, të bashkëjetesës qytetare e demokratike. Nxit ripërtëritjen morale përmes shkollës, vlerësimit të punës, respektit për të drejtat e liritë njerëzore dhe për Kushtetutën e ligjin. Nxit kulturën si kujtesë e parafytyrim duke krijuar një klimë të favorshme për çdo talent dhe energji krijuese. Shteti që ne duam duhet ta shohë kapitalin njerëzor si çelësin e suksesit ekonomik. Shteti që ne duam duhet të funksionojë si investitori më i madh social ku qeveria, ekonomia dhe shoqëria civile duhet të jenë të lidhura në interes të solidaritetit dhe drejtësisë shoqërore. Ne duhet të jemi aktivë në mbrojtjen e lirisë së tregjeve, në lehtësimin e funksionimit të sipërmarrjeve, në nxitjen e krijimit të të mirave materiale, sepse kapitali privat është esencial për investimin social. Puna do të jetë epiqendra e politikës dhe e shoqërisë në Shqipërinë e Re Sociale. Përpara sesa të kuturisemi me zell majtist për rishpërndarjen e pasurisë duhet ta krijojmë atë dhe pasuria nuk krijohet as nga hiçi e as përmes politikash të vjetra e të dështuara “sociale”. Të cilat praktikisht kanë rishpërndarë e rikrijuar varfërinë duke rrënuar vlerën morale, qytetare, ekonomike dhe shoqërore të punës. Shqipëria sot punon më pak dhe papunësia e saj rëndon më shumë. Sfida jonë është rritja e vlerës së shumanëshme të punës përmes një politike të re që rivlerëson punën si çelësin e së ardhmes, si prioritetin dhe kriterin e çdo politike publike dhe që e trajton papunësinë jo si një problem teknik apo ekonomik, por mbi të gjitha si një problem të madh moral, njerëzor e shoqëror. Koha e re dhe e majta e vjetër nuk rrinë dot bashkë. Ne duhet ta shkëpusim lidhjen me socialdemokracinë e shekullit të shkuar me po atë kurajo radikale që ajo u shkëput prej marksizmit.

 

POLITIKA E RE

Ne duam të rikthejmë besimin e qytetarëve tek politika. Përtej së majtës e të djathtës është Shqipëria. Eshtë fati i përbashkët i shqiptarëve. Eshtë dinjiteti dhe liria e çdo shqiptari. Eshtë shteti i tyre që duhet të jetë i paanshëm. Politika e re është një politikë e jetës dhe e njerëzve në një periudhë kur njerëzit kanë humbur besimin tek politika e kur jeta rëndom shfaqet e zhveshur nga vlerat njerëzore. Ne duam ta ndryshojmë politikën, ta transformojmë shoqërinë, të ndërtojmë një Shqipëri Europiane, Moderne dhe Sociale, përmes një politike të fokusuar tek e ardhmja. Pa mllef e as nostalgji. Ne kemi kundërshtarë jo armiq. Beteja politike është fusha ku jetësohet liria jonë për të luftuar për idetë tona, për të nxjerrë në pah projektet tona, për të jetësuar alternativën tonë. Politika e re nuk premton ç’nuk bën dot dhe bën realitet ato që premton. Fitorja politike është instrument jo qëllim. Ne s’duam të mundim kënd, por vetëm të kryejmë misionin tonë, detyrën tonë, rolin tonë. Ne jemi të bashkuar prej disa vlerave e parimeve, jo prej një ideologjie. Ne u përqasemi çështjeve pa paragjykime ideologjike dhe, duke i’u referuar vlerave e parimeve tona, e kërkojmë zgjidhjen e problemeve të njerëzve përmes politikash realiste, të cilat synojnë rezultatin konkret, jo amëshimin ideologjik. Ne shohim tek padrejtësitë shoqërore, tek varfëria, pabarazia, injoranca, dhuna e korrupsioni, armiqtë e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të bindur se politika e vjetër e së shkuarës, e urrejtjes dhe cinizmit, e barrikadave partiake, klienteliste apo nepotike, e fjalëve të ndara nga veprat, e partive të mbyllura ndaj shoqërisë e ndaj së resë, jo vetëm s’mund t’i luftojë, po i ushqen këta armiq të përbashkët. Ja pse duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të hapur një rrugë të re, ku problemet e njerëzve t’i jetojmë dhe të luftojmë t’i zgjidhim njësoj si të ishin tonat, ku tek familja në nevojë të gjejmë familjen tonë, ku tek fëmija që s’shkon dot në shkollë të shohim fëmijën tonë, ku tek fytyra e vajzës së dhunuar të ndjejmë plagët tona, ku tek çdo padrejtësi të gjejmë arsyen për të qenë pjesë e betejës politike. Vlera e pafundme e çdo njeriu është graviteti i politikës së re. Paprekshëmria e dinjitetit njerëzor është pikënisja e saj. Vetëvendosja vetëdije e saj. Aleanca me të pambrojturit domosdoshmëri e saj. Vlerësimi për talentin krijues e sipërmarrës detyrë e saj. Mbrojta e natyrës pjesë e pandashme e saj. Ekologjia është zhvillim i qëndrueshëm. Pa harmonizim të zhvillimit ekologjik, social dhe ekonomik, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm. Konsumi i sotëm s’duhet të zhbëjë mundësinë e nesërme. Atdheun u’a kemi borxh fëmijëve tanë. Punët e Shqipërisë nuk janë vetëm një çështje e shtetit apo e partive, por e të gjithëve. Pa një shoqëri të hapur e civile që luan plotësisht rolin e saj, vendi ynë s’mund të ecë asnjëherë si duhet. Inkurajimi i angazhimit qytetar dhe humanitar është një synim i patjetërsueshëm i politikës së re. Transparenca e vendimmarrjes jo thjesht kur merret një vendim, po qyshse nis proçesi vendimmarrës, është një kusht i politikës së re. Ne duam t’i shohim partitë të hapen, komunikojnë, ndërveprojnë, bashkëvendosin me qytetarët. Ne duam ta shohim qeverisjen kombëtare dhe vendore të shtrojë rrugë të reja drejt qytetarëve dhe komuniteteve. Ne duam t’i shohim komunitetet të bëhen vatra aktive të debatit demokratik, ura të integrimit shoqëror, pika referimi të politikëbërësve. Ne duam t’i shohim qytetarët të marrin përgjegjësi. Rëndom politika e vjetër e së shkuarës i ka ngritur të drejtat mbi përgjegjësitë. Për politikën e re përgjegjësia individuale për fatet e familjes, lagjes apo shoqërisë nuk mund t’i delegohet shtetit. Nëse nuk ka marrëdhënie detyrimesh të ndërsjella mes shtetit e qytetarit, rezultati është zhdukja e shpirtit komunitar, papërgjegjshmëria sociale, rritja e krimit e vandalizmit dhe mosfunksionimi i bashkëjetesës qytetare. Politika e re e kthen politikën në duart e qytetarëve duke vënë në qendër njeriun dhe nevojën e tij për më shumë liri, të drejta e mundësi. Politike e re është politikë e së vërtetës, e komunikimit të drejtëpërdrejtë, e një marrëdhënieje të hapur dhe etike me qytetarët, institucionet, kundërshtarët apo rivalët. Politika e re është politikë e fjalëve të thjeshta dhe e një legjislacioni koherent. Ne duam një parlament që i jep fund xhunglës së ligjeve megallomaniake, kontradiktore, të pazbatueshme, në të cilën njerëzit humbasin shpesh edhe për një copë letër, ngecin rëndom për një nen që bie ndesh me një nen tjetër, mbeten viktimë sepse një institucion i referohet një ligji, kurse një tjetër një ligji tjetër. Politika e re është në thelb një burim energjish pozitive, fuqi për të ndërtuar, bashkëpunuar, nxitur, një qasje diametralisht e kundërt me sjelljen tradicionalen të bllokimit, zvarritjes, sabotimit të një institucioni të pavarur apo autonom me nisma parlamentare unilaterale ose përmes vënies në lëvizje, me urdhër nga lart, të një pjese të shtetit kundër një pjese tjetër. Politika e re është liria e secilit e garantuar prej lirisë së të gjithëve. Eshtë e drejta e të gjithëve e garantuar nga detyrimi i secilit. Eshtë sovraniteti i individit i garantuar nga sovraniteti i popullit. Eshtë besimi tek drejtësia. Eshtë shteti i paanshëm. Eshtë respekti për pavarësinë e pushteteve kushtetuese. Eshtë njohja e meritës dhe barazia e mundësive. Eshtë virtyti i bashkëjetesës qytetare. Eshtë lëvizja e vazhdueshme. Politika e re është pasion, përkushtim, shërbim. Asgjë më shumë sesa shembulli vetjak apo i grupimit ku bëjmë pjesë, në çdo nivel, nuk mund të vlejë për t’i dhënë politikës përmasën e munguar njerëzore e qytetare. Politika e re është një rrugë e re reformash që përshpejtojnë ndërtimin e një shteti të ri modern. Politika e re është dashuri për fëmijët tanë dhe fëmijët e kundërshtarëve tanë. Pa asnjë paragjykim dhe ngurrim, me urtësi e kurajo, ne do ta kthejmë vullnetin e popullit në një vullnet qeverisës.

 

ÇDO E DREJTE NJE PERGJEGJESI

Duam që qytetaria, të qenit shqiptar, të nënkuptojë në shekullin XXI diçka më shumë sesa të drejtat klasike politike e qytetare, të cilat duhet të shtrihen tek e drejta për arsimim, për punësim, për integrim social dhe siguri të garantuar. Por duam edhe që ky koncept i qytetarisë të angazhojë, përmes çdo individi, të gjithë shoqërinë në një përpjekje ku çdo e drejtë të jetë një përgjegjësi. Politika e vjetër ka dështuar në përpjekjet e saj për arsimimin, punësimin dhe integrimin social të qytetarëve në nevojë apo të të ardhurve në qytetet e mëdha prej zonave më të varfra të vendit. Skemat e solidaritetit klasik shtetëror të asistencës e të ndihmës ekonomike kanë rezultuar pa asnjë impakt real në jetën e njerëzve. Përveçse i kanë lënë këta njerëz ashtu siç i kanë gjetur, individë të demoralizuar jashtë rrjedhave të zhvillimit shoqëror, skemat në fjalë kanë rezultuar edhe abuzive, duke krijuar një varësi paralizuese të individit nga shteti, një burokraci jashtë çdo kontrolli si edhe rrjete interesash korruptive që gllabërojnë çdo vit shuma të konsiderueshme, të cilat thellojnë humbjen e vetvetishme të këtyre skemave të dështuara. Na duhet një solidaritet i ri, një kontratë e re sociale e bazuar në vetëdijen se çdo e drejtë duhet të jetë një përgjegjësi. Cilido që përfiton nga të mirat e përbashkëta duhet t’i përdorë ato në mënyrë të përgjegjshme, duke i’a kthyer komunitetit shoqëror në formën e kontributit të drejtëpërdrejtë. I parë si element kyç i qytetarisë së shekullit të ri, ky parim të duhet vlejë për politikanët njësoj si për qytetarët, për të pasurit njësoj si për të varfërit, për sipërmarrjet e mëdha njësoj si për individët. Integrimi social është një sfidë madhore për socialistët e shekullit të ri. Kontrata e re sociale duhet të ofrojë ndihmë për të ndryshuar kushtet e jetesës, jo lëmoshë për të mbijetuar në po ato kushte. Shpenzimet e mëdha buxhetore për të garantuar këtë mbijetesë përjashtuese, duhet t’i lenë vendin një sistemi ndihme të bazuar tek reforma e tregut të punës, tek krijimi i vendeve të reja të punës, tek projektet e punës në dobi të komunitetit dhe, sidomos, të formimit profesional. Ndërgjegja jonë sociale s’mund të shihet tek niveli i shpenzimeve publike, por tek efikasiteti i tyre, tek sa e si këto shpenzime i ndihmojnë njerëzit të ndihmojnë vetveten. Socializmi ynë nuk është një këndvështrim i kufizuar mbi shoqërinë e mbi problemet e saj, por një vizion i aktualizuar përmes lirisë sonë për të ndryshuar. Barazia për ne është e drejta e mundësive të barabarta me të tjerët. Por edhe e detyrimeve sipas të drejtave. Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të jetë partia ku ky parim të karakterizojë jetën e saj të brendshme dhe të transmetohet në marrëdhënien e çdo socialisti me shoqërinë gjatë kryerjes së një detyre publike. Socializmi ynë nuk është një teori ekonomike e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ne e refuzojmë recetën e vjetër majtiste “Takso më shumë shpenzo më shumë”, sepse jemi të vetëdijshëm që në rrethanat e duhura ulja e taksave mund të luajë një rol vendimtar në realizimin e objektivave socialë. Por, më anë tjetër, ne e konsiderojmë fantazi të rrezikshme mundësinë e rritjes së mirëqenies përmes uljes së taksave në minimum. Ne do të kërkojmë gjithnjë, pa asnjë paragjykim, rrugë e ide të reja për të fituar sfidat e reja. Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të jetë një parti e ideve dhe idealeve, jo e një ideologjie të vdekur bashkë me shekullin e shkuar. Për të qenë në lartësinë e misionit tonë ne duhet të jemi radikalë, jo sipas një doktrine, po në funksion të objektivave që kemi. Në asnjë rast nuk do të ngurrojmë të marrim një masë të efektshme sepse ngjan si e djathtë dhe nuk do të zgjedhim një rrugë të paefektshme sepse quhet e majtë. Socializmi ynë nuk është një shoqëri në të cilën individët gjunjëzohen përpara shtetit. Ne na duhen më shumë sipërmarrës e jo më pak. Në kushtet e një tradite që ka mitifikuar shtetin dhe diskredituar sipërmarrjen e lirë, duke bërë që i gjithë tranzicioni të karakterizohet nga një raport abuziv mes qeverisë e sipërmarrjes, dalja prej tranzicionit duhet të shihet edhe si krijimi i një marrëdhënieje të re me sipërmarrjen. Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të jetë një parti ku sipërmarrja e lirë të gjejë fuqinë për të guxuar, për të rrezikuar, për t’u rritur e për t’u vendosur në një raport partneriteti e jo inferioriteti me politikën. E drejta e sipërmarrjes është përgjegjësia jonë. Sipërmarrësit e suksesshëm do të jenë për ne po aq të nderuar sa artistët dhe sportistët e suksesshëm. Socializmi ynë është një çështje e madhe vlerash e parimesh të vlefshme universalisht dhe të përcaktueshme në çdo kohë si thelbi i misionit tonë. Paqja, liria, barazia, puna, solidariteti përbëjnë trashëgiminë historike të së majtës, ABC-në e saj. Një program i ri politik i partisë së socialistëve shqiptarë në këtë shekull të ri s’do të mund të thoshte e të bënte asgjë të re pa i shtuar kësaj ABC-je integrimin, zhvillimin e qëndrueshëm, mundësitë e barabarta, risitë teknologjike, meritën.

 

PARTIA E SOCIALISTEVE DHE PROGRESISTEVE

Qëllimisht partia nuk është as kryefjala dhe as fjalëkyçi i këtij teksti, por vetëm një pjesë e rëndësishme e tij. Sepse ne besojmë që vizioni ynë europian nuk është i yni, por i paraardhësve e i pasardhësve tanë. Ashtu siç nuk është vetëm e jona ambicia e Shqipërisë së re Sociale, të cilën janë me qindramijëra shqiptarët që e synojnë. As nevoja e një ndarjeje të prerë me politikën e vjetër të së shkuarës, përmes një rruge të re ku shqiptarët në tërësi me plot dëshirë duan të ecin, nuk është vetëm e jona. Nuk është vetëm e jona as sfida e një solidariteti të ri, mishëruar në një kontratë sociale ku çdo e drejtë është një përgjegjësi e ku, pa asnjë dyshim, një numër shumë herë më i madh bashkëqytetarësh sesa numri i anëtarëve të partisë sonë janë gati të nënshkruajnë. Kauza jonë është më e madhe sesa Partia Socialiste dhe prandaj na duhet një parti e madhe sa kauza jonë. Na duhet një parti që nuk është vetëm e jona. Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti që ka lindur për t’iu përshtatur një ndryshimi të madh historik e shoqëror. Duke e shndërruar nga partia unike e një shteti të kapitulluar në një parti të zgjedhësve që e votojnë lirisht, themeluesit e saj bënë një zgjedhje të prerë mes së shkuarës dhe së ardhmes. Sot, 16 vjet pas lindjes së partisë së socialistëve shqiptarë, shoqëria shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me 16 vjet më parë dhe mes saj e politikës është krijuar vit pas viti një hendek i madh. Partitë politike shqiptare kanë nevojë për një reformim rrënjësor, kurse Partia Socialiste duhet të vijojë rrugën e hapur të reformimit rrënjësor të saj, duke ribërë, sot, një zgjedhje të qartë mes së shkuarës e së ardhmes, për t’u bërë zëdhënëse e kësaj kohe të re shqiptare, për t’u integruar në hapësirën e shekullit të ri me një mendësi e gjuhë të re, për t’i udhëhequr shqiptarët në një rrugë të re. Partia Socialiste duhet të ndahet prerazi nga politika që nuk ka veshë t’i dëgjojë shqiptarët e as gojë që t’u flasë për problemet e tyre, nga politika që nuk ka zemër t’i ndjejë vështirësitë e shpirtrave kërkues të këtij vendi dhe as farën e pasionit që entuziazmon njerëzit, nga politika që s’mund të transmetojë energji e vlera, të përfshijë qytetarët e komunitetet në një projekt të ri shprese. Partia Socialiste duhet ta bëjë të sajën vetëdijen se një parti e madhe popullore e demokratike është një forcë që e bën historinë dhe u’a lë të tjerëve ta shkruajnë. Një forcë e gjallë, në lëvizje e transformim konstant, ku të gjithë janë të nevojshëm e askush i domosdoshëm, një forcë që e mishëron ambicien e shqiptarëve për një Shqipëri të re në të tërë qenien dhe sjelljen e saj. Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të jetë instrumenti i çdo shqiptari që do të ndryshojë jetën e tij, i çdo të riu që do të ndryshojë botën rreth tij, i çdo gruaje që do të ndryshojë pozicionin e saj shoqëror, i çdo familjeje që do të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë, i çdo punëmarrësi që do të ndryshojë kushtet e punës dhe i çdo sipërmarrësi që do të ndryshojë cilësinë e shërbimit a të teknologjisë, i çdo organizate jotofitimprurëse që do të ndryshojë diçka sado të vogël në shoqëri, i çdo komuniteti që do të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike, i çdokujt që do të ndryshojë cilësinë e jetës. Barazia për ne është në rradhë të parë garanci mundësish të barabarta. Partia jonë duhet të bëhet pasqyra e një komuniteti qytetarësh të barabartë, modeli i një bashkëjetese mes të barabartësh ku çdo detyrë është një përgjegjësi, mishërimi i ambicies sonë për një Shqipëri të Re Sociale ku askush s’duhet të ndjehet i pabarabartë me të tjerët në raport me ligjin, shtetin dhe rrugën e vetërealizimit. Ne jemi sot partia e promovimit të barazisë gjinore në Shqipëri. Listat tona të barazisë gjinore për këshillat e bashkive në zgjedhjet e fundit ishin një risi absolute në vendin tonë. Ashtu siç është një risi absolute kongresi i ri i partisë, ku një e treta e delegatëve të zgjedhur nga i gjithë vendi janë gra e vajza. Por është koha të hedhim një hap të plotë drejt krijimit të forumeve drejtuese ku pjesëmarrja e grave duhet të jetë e barabartë me të burrave. Këtë hap do ta hedhim sot, jo nesër. Ne nuk mund ta pranojmë si të pandryshueshme një shoqëri ku dituria, eksperienca, ndjeshmëria, dëshira e grave për të kontribuar jashtë mureve të shtëpisë të ndeshet rëndom me një mur paragjykimesh, pengesash, përjashtimesh, refuzimesh, që po thellojnë pabarazinë në këtë drejtim duke prishur një ekuilibër strategjik për zhvillimin ekonomik e social të vendit tonë. Partia Socialiste duhet të bëhet promotorja e rrëzimit të këtij muri që pengon punësimin dhe afirmimin profesional të grave e të vajzave. Politikat që promovojnë forma të ndryshme punësimi, rrisin nivelin e punësimit të grave e të vajzave si edhe krijojnë kushte të barabarta mes tyre e burrave për karrierë profesionale, do të jenë në fokusin e partisë sonë. Një Shqipëri që do të dijë ta bëjë dhe fitojë luftën kundër dhunës ndaj grave, vajzave e fëmijëve, mund të ndërtohet vetëm prej nesh, socialistëve shqiptarë, duke e kthyer këtë cështje në një prioritet jetik të qënies sonë e duke bërë të mundur që institucionet kombëtare dhe vendore të venë në lëvizje instrumenta të përshtatshëm për ta frenuar këtë dhunë të patolerueshme. Demokratizimi i demokracisë ose një ripërtëritje rrënjësore e mekanizmave që rregullojnë marrëdhëniet mes zgjedhësve e të zgjedhurve në atdheun e në komunitetet tona, ku një transparencë e re e vëndimmarrjes, një përgjegjësi e re institucionale si edhe një etikë e re e përmbushjes së funksioneve publike, janë vetëm disa piketa kryesore që duhet të bëhen pjesë e rrugës së re të Partisë Socialiste të Shqipërisë. E kemi nisur rrugën e re me bindjen se nuk mund t’i japim demokracisë shqiptare një jetë të re, pa i dhënë një jetë të re demokracisë brenda familjes sonë politike. Fillimisht gjithëpranimi i parimit “Një anëtar një votë”, si parim themelor i statutit tonë e pastaj jetësimi i tij shkallë-shkallë në të gjithë territorin e vendit, për të zgjedhur kandidatët për kryetar bashkie e komune dhe pastaj kryetarët vendorë të partisë, delegatët e kongresit dhe kryetarin e PSSH-së, përbën një dëshmi kuptimplotë të ecurisë së kësaj faze të re të demokracisë në parti. Një kryetar i zgjedhur drejtëpërdrejtë me votën e anëtarësisë, i cili dorëhiqet në rast humbjeje të betejës së zgjedhjeve të përgjithshme, duke provokuar kësisoj kthimin e të gjitha forumeve për gjykimin e anëtarësisë, është një garanci për atë lëvizje të vazhdueshme për ndryshim pa të cilën një parti politike e kohës së re e ka të pamundur të qëndrojë në lartësinë e misionit të saj. Por ky proçes duhet të vazhdojë jo vetëm për të konsoliduar kulturën demokratike të vendimmarrjes nga poshtë, por edhe për të krijuar ura të domosdoshme komunikimi me shoqërinë në të cilën kjo parti vepron e të cilës padyshim duhet t’i përkasë përditë e më shumë. Ne duhet të mësohemi me idenë se nuk mjafton të gjykojmë njëri – tjetrin, por duhet të pranojmë edhe gjykimin e të tjerëve, e atyre që janë jashtë nesh, por që i kanë sytë tek ne, në mënyrë që gjithësecili ndër anëtarët e partisë sonë të bëhet i vetëdijshëm se është një zëdhënës i shoqërisë dhe se çdo mandat që merr, për të kryer një funksion partiak apo publik, duhet ta nderojë duke vendosur interesin publik mbi çdo interes tjetër. Për t’i dhënë formë kësaj ideje ne duhet të jemi nismëtarët e ndërtimit të urave të komunikimit me shoqërinë, duke i dhënë një trajtë të larmishme organizimit tonë të brendshëm e duke e hapur institucionalisht partinë jo vetëm ndaj atyre që duan të bëhen anëtarë të saj, por edhe ndaj atyre me të cilët duhet të komunikojmë e prej të cilëve dëshirojmë të gjykohemi. Duke shkuar ne tek shoqëria e jo duke pritur që shoqëria të vijë tek ne. Partia Socialiste nuk është një kështjellë derëkyçur që duhet marrë me njëmijë e një peripeci, por një hapësirë e madhe lirie, kufijtë e së cilës i përcakton përkatësia jonë socialiste, vizioni ynë për botën e për shoqërinë, vlerat e parimet tona që duam t’i ndajmë me sa më shumë njerëz. Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të mishërojë në jetën e saj të brendshme sensin qytetar, etikën e përgjegjësisë, besimin në një shoqëri të drejtë qytetarësh e mundësish të barabarta, vlerën e interesit publik dhe të barazisë para ligjit, parimin e çdo të drejte të jetuar si një përgjegjësi. Partia Socialiste e Shqipërisë duhet t’i japë vendit një stabilitet të vërtetë demokratik, i cili fillon nga stabiliteti i pushteteve e institucioneve të pavarura, i administratës publike e i forcave të rendit, të cilat duhen hequr njëherë e mirë nga nga duart e partive dhe u duhen kthyer qytetarëve. Ne duhet t’i kthehemi punës si të vetmes mënyrë për të dalë nga një tranzicion vlerash ku vlera e punës dhe respekti për të ranë përtokë e ku njerëzit që, me punë, dolën e dalin në dritë, u trajtuan e vijojnë të trajtohen rëndom si fajtorë për suksesin e tyre. Politika e vjetër e së shkuarës i ka bërë shumë dëme Shqipërisë e shqiptarëve, po një ndër dëmet më të mëdha ka qenë goditja e vlerës së punës në të gjitha format dhe shprehja brutale e armiqësisë ndaj sipërmarrjes, si piskamë e vjetër bolshevike ndaj lirisë së individit e të tregut, por edhe si shprehje e xhelozisë së sundimtarëve të rradhës për pasurinë apo për suksesin individual të të tjerëve. Ky brutalitet e xhelozi, shprehur sistematikisht edhe ndaj kundërshtarëve e rivalëve politikë, deri përmes procesesh publike skandaloze, ku është konsumuar një kuftë për pushtet jashtë e brenda llojit, ka helmuar gjakun e shoqërisë shqiptare, e ka frenuar jo pak atë dhe vetë zhvillimin, si edhe ka rrënuar vlerën e politikës në sytë e njerëzve. Partia Socialiste duhet të luftojë që shoqëria shqiptare si e tërë të vlerësojë lart punën, në të gjitha format e saj, si shprehje e personalitetit, mençurisë dhe energjisë pozitive të njeriut. Duke e filluar nga vetja. Të zgjedhurit tanë, në çdo nivel, në parti a në qeverisjen vendore apo kuvend, duhet të jenë shembuj të përkushtimit në punën e ngarkuar prej zgjedhësve të tyre. Drejtuesit tanë në çdo nivel duhet të synojnë afrimin në parti të njerëzve të punës e të shembujve të suksesit në komunitetet e tyre. Partia Socialiste duhet të luftojë që ta nxjerrë tregun dhe sipërmarrjen e lirë nga kthetrat e armiqësisë dhe xhelozisë së politikës. Ajo duhet të bëhet kampione e promovimit të sipërmarrjes së vogël e të mesme dhe të garantojë trajtim të drejtë e të barabartë për të gjithë sipërmarrësit e mëdhenj. Krijimi i kushteve optimale për zhvillimin e fuqizimin e kapitalizmit familjar duhet të jetë një prioritet strategjik i partisë sonë. Klima pozitive për pavarësinë e sipërmarrjes dhe lirinë e nismës sipërmarrëse duhet të jetë objektivi ynë i pandashëm. Suksesin e çdo sipërmarrjeje shqiptare duhet ta jetojmë edhe si suksesin tonë. Ne duhet t’ia njohim çdo shqiptari të drejtën e punës si një të drejtë njerëzore dhe të shohim tek çdo shqiptar e shqiptare pa punë vëllain e motrën që duhet përkrahur për të jetuar me punën e vet. Papunësia në Shqipëri është shprehja më shembullore e mungesës së një politike të orientuar drejt punës. Mungesa e një tregu funksional të punës, mosprioritizimi i arsimit profesional dhe i kontributit të sektorit shtetëror apo privat në aleancë me shoqërinë civile, për trajnimin profesional dhe lehtësimin e kushteve për punësimin e më të rinjve e të grave, mungesa e luftës me punën e zezë e me fenomenin kriminal të shfrytëzimit të minorenëve për punë të rënda, janë disa boshllëqe ndër më dramatiket e realitetit të sotëm. Ndërsa tërmeti shtetëror me pasoja hedhjen në rrugë të mijëra e mijëra grave e burrave, pas çdo rotacioni politik në qeverinë e vendit, është një ndër manifestimet më të shëmtuara të politikës së vjetër të së shkuarës, e cila, tradicionalisht e paaftë për të krijuar vende të reja pune, trajton si karrige bosh në dispozicion të saj, vendet ku punojnë qytetare dhe qytetarë të këtij vendi me statusin e nëpunësit civil apo me arsyen e thjeshtë të zotësisë e të eksperiencës në punë. Tabloja e trishtueshme e punës në Shqipëri, duhet të ndryshojë në mënyrë radikale në të gjithë kompleksitetin e saj. Partia Socialiste e Shqipërisë e ka për detyrë ta bëjë këtë ndryshim. Duke nderuar punën dhe këdo që nderon punën me shembullin e tij. Me ne, njerëzit e punës, në çdo sektor të jetës a rang shoqëror, duhet të ndjehen të nderuar e të përkrahur më shumë se kurrë më parë. Ky shekull i ri për shqiptarët ka filluar me dy pamje të krijuara gjatë këtij tranzicioni. Pamja e “Shqipërisë private”, e hapësirave të brendshme apo të jashtme të pronave private, shtëpi, hotele, restorante, pishina, pika të mëdha shitjeje a dyqane të vogla, etj., dhe pamja e “Shqipërisë publike”, e hapësirave të “askujt”, pyje, plazhe, lumenj, fusha të shkreta buzë rrugëve, parqe, lulishte, fusha sporti, etj. Janë dy pamje thellësisht kontradiktore, dy hapësira tërësisht asimetrike, dy realitete që venë përballë njëra – tjetrës dy mënyra të jetuari pas dhjetë vjetësh; mënyrën e të jetuarit në shtëpinë apo pronën vetjake dhe mënyrën e të jetuarit në hapësirën apo pronën e përbashkët. Pa u zgjatur në përshkrimin e këtyre dy pamjeve që çdonjëri ndër ne i ka mirë parasysh, duhet thënë se shumica ndër ne jetojnë më mirë sesa ç’jetonin 17 vjet më parë në pronën private, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për cilësinë e jetës sonë në “Shqipërinë publike”. Vendi ynë i bukur ka hyrë në një proçes shpërfytyrimi që duhet ndalur. Ose, më saktë, që Partia Socialiste e Shqipërisë duhet ta ndalë. Kjo parti s’mund të ekzistojë si një forcë politike që sheh nga e ardhmja nëse nuk bëhet, pa humbur asnjë orë më shumë, vetëdija e gjelbër e politikës shqiptare të shekullit të ri. Shpërfytyrimi në fjalë nuk është vetëm çka duket pa shumë mund, plehra të kudondodhura, plazhe e kodra të cunguara rëndë apo anarki ndërtimesh buzë rrugëve e kuturu nëpër tokën e bukës, tkurrje e burimeve natyrorë dhe ridimensionim shqetësues i potencialeve të zhvillimit turistik e atij rural apo dëmtim serioz i trashëgimisë kulturore. Këtu kemi të bëjmë me një proces shumë të rëndë shkatërrimi organik të mirëfilltë e me prishje ekuilibrash natyrorë. Përballë këtij proçesi ne duhet të vendosim me kurajo ndryshimin radikal të marrëdhënieve të partisë sonë me natyrën, bazuar në vetëdijen se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm themel i zhvillimit të qëndrueshëm, por edhe një çështje e madhe drejtësie shoqërore. Janë njerëzit e thjeshtë përgjithësisht, por edhe të gjithë të moshuarit e fëmijët, që vuajnë më shumë prej pasojave të ndotjes së ajrit e ujit, ushqimeve të pashëndetshme apo trafikut të rënduar keqaz. Por janë edhe brezat që vijnë, të cilët s’mund të paguajnë për padrejtësitë e mëdha të kohës sonë.

 

PASTHENIE

Tani është rradha jote. Le t’i japim së bashku formën përfundimtare këtij Programi të Ri Politik përmes një debati të hapur, ku je i lutur të marrësh pjesë, pavarësisht nëse je ose jo anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. E cila sot, më shumë se asnjëherë, ka nevojë për ty, për zërin tënd, për idetë e opinionet e tua lidhur me atë çka duhet të jetë partia më e madhe e shqiptarëve, për të qenë më shumë e jotja si qytetar dhe më pranë teje si njeri.

 

About these ads
  1. Lini një koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: