KUFIJTE E SHQIPERISE NE MESJETE

Nga: Milan von Šufflay

Reunioni i ambasadorëve (Konferenca e ambasadorëve në Londër) është pajtuar me caktimin e përgjithshëm të kufijve të Shqipërisë së ardhshme. Sulmet që do të merren nga malazezët dhe serbët kundër Shkodrës, makinacionet dhe mizoritë e serbëve në Shqipëri ka kohë që nuk kanë asgjë të përbashkët me luftën e shteteve të Ballkanit kundër Turqisë. Ato orientohen jo vetëm kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha, jo vetëm kundër parimit etnik të betonuar para fillimit të luftës ballkanike nga vetë aleatët, por gjithashtu edhe kundër të drejtës historike të Shqipërisë, pra jo vetëm kundër të ardhmes, por po ashtu edhe kundër të kaluarës së shtetit në krijim.
Për profesionistin është i dhimbshëm qoftë edhe vetëm sforcimi i aludimit se ai dëshiron ta vendosë shkencën në shërbim të politikës, dhe ai i paraqet frytet e punës së vet zakonisht vetëm në revistat shkencore, eventualisht në faqet e specializuara profesionale të gazetave të mëdha, por jo edhe në shtyllat politike të gazetave të përditshme. Por një vepër mbi Shqipërinë duhet që sot për shkaqe të kuptueshme të bëjë një përjashtim, dhe veçanërisht kjo vepër, pra Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia [Collegerunt et digesserunt Ludovicus de Thallòczy, Constantinus Jireçek et Emilianus de Sufflay, vol. I (Annos 343–1343 tabulamque geographicam continens). Vindobonae 1913], rezultatet e pakontestueshme dhe veçanërisht aktuale të së cilës përpiqem t’i ndriçoj këtu, do të duhej që po ashtu ti kontribuojë rrënimit të disa paragjykimeve të caktuara të përhapura relativisht shumë, dhe veçanërisht për t`i heshtur disa shprehje pompoze të burrështetasve dhe letrarëve të caktuar serbë që kur kanë të bëjnë me Shqipërinë vlojnë nga të pavërtetat historike, të cilët i kanë përcaktuar vetes se Evropa Perëndimore duhet ta mësojë prej tyre historinë e zhvillimit të Ballkanit.
Që këtij punimi të mos mund t`i bëhet vërejtja se është shkruar ad hoc është garanci nga njëra anë puna shumëvjeçare e këmbëngulëse në mirëmbajtjen e pasurisë monumentale të arkivave në radhë të parë napolitanë, të Vatikanit, venedikas dhe raguzanë, ndërsa në anën tjetër për këtë sigurojnë edhe emrat e autorëve, prej të cilëve njëri (Jireček) është autor i historisë së bullgarëve dhe të serbëve, i cili edhe nga sllavët e jugut dhe rusët llogaritet si njohësi më i mirë i Ballkanit, tjetri (Thallòczy), motivuesi i vërtetë i kësaj vepre, si hulumtues i shkëlqyeshëm, i palodhshëm i sferave të fuqisë të shtetit mesjetar hungarez në Ballkan i cili është i njohur edhe përtej kufijve të vendit të tij, Hungarisë.
Rikonstruktimi i Shqipërisë mesjetare (para turke) – dhe ky përbën kulmin e synuar të kësaj vepre – të detyron të thellohesh në gjykimin e asaj çka në fakt, objektivisht përbën minimumin e Shqipërisë së ardhshme, respektivisht i cili pikëvështrim lidhur me këtë çështje i afrohet më shumë postulatit të objektivitetit, jo vetëm ashtu që të hidhet një peshë e caktuar në njërën anë të peshores, por që të ndërtohet gjithashtu edhe një pikë qëndrim vërtet arkimedian për të painteresuarit.
Etnosi i shqiptarëve është i një lashtësie të madhe dhe me këmbëngulje (vitale) në Ballkan. Për më shumë se njëmijë vjet e ndante fatin e njëjtë me racën tashmë plotësisht të çliruar helene dhe sllave . Në kohën para-turke Shqipëria edhe nëse nuk u formësua si një njësi politike e qëndrueshme, ajo ishte një koncept etnik-gjeografik paralelisht me konceptin politik të Bullgarisë dhe Serbisë, ndërkohë që Mali i Zi në kuptimin historik mund të merret vetëm si një fëmijë i llastuar i Shqipërisë.
Shqipëria përkundër lashtësisë së madhe të materialit të saj etnik paraqitet, ashtu sikurse Serbia dhe Bullgaria, vetëm në mesjetë. Është një krijesë tipike mesjetare, nocioni shkencor i së cilës duhet të krijohet, duke u bazuar në materialin e përgjithshëm historik që lidhet me Ballkanin perëndimor. Harta e Shqipërisë mesjetare e cila i është bashkëngjitur vëllimit të parë të veprës është rezultat i kësaj pune që kërkonte përkushtim të madh. Bazat e metodave shkencore të aplikuara me këtë rast janë dhënë në parathënie, prej nga shihet se koncepti shkencor, gjegjësisht kufijtë e tërhequr hartografikë të Shqipërisë mesjetare janë në fakt një rezultante që kryesisht del nga një komponent kryesore dhe katër të tjera, anësore. Komponenza kryesore përbëhet nga historia i këtij koncepti gjatë mesjetës, që do të thotë një grumbull paraqitjesh shpeshherë të pasakta për shtrirjen gjeografike të Shqipërisë që mund të gjenden te grekët, serbët, napolitanët, raguzanët dhe venedikasit e mesjetës. Katër komponentet anësore (plotësuese) përfshijnë, së pari ngulimet e stërvjetra shqiptare, së dyti, konstatimin e sferave të sundimit të dinastëve të vegjël por të pastër shqiptarë, së treti kufijtë e pjesëve të veçanta të kishës dhe së fundi konfiguracioni tokësor.
Emri i fisit antik ilir të Albanëve përmendet në kohën perandorake të Romës, por zhduket plotësisht pastaj për të dalë sërish vetëm në shekullin XI në burimet bizantine, dhe pikërisht si përshkrim për banorët që popullojnë vendin malor në mes të Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit me kështjellën e Krujës në qendër. Së këndejmi ky emërtim zgjerohet tej e më tej në medium homogjen etnik. Raban-i i serbëve në shekullin XII është tashmë dukshëm më i madh në krahasim me Arbanon-in e Bizantit nga shekulli XI; atij i takon tashmë edhe Pulti i poshtëm dhe i epërm, viset që shtrihen nga bregu lindor i Liqenit të Shkodrës deri në bregun e Drinit. Në po këtë kohë ose diçka më vonë (1255) Arbanoni i bizantinëve është tashmë një nocion me cilësi të veçanta shtrirjeje drejt juglindjes. Emërtimi Shqipëri (Albania) shtrihet mjaft herët edhe drejt jugut, sepse princi shqiptar Karl Thopia i cili në vitin 1381 veten e quan „Zotërues i gjithë Shqipërisë“ sundon në fakt territorin nga lumi Mat deri në lumin Dieval (Seman). Kështu del se në shekullin XIV sipas dokumenteve raguzane S. Sergius në lumin Buna, ndërsa në shekullin XV edhe Tivari, manastiri Rtaç (Roteo), madje edhe Lustica te Kotori të shënohen se shtrihen brenda Shqipërisë, ndërsa në përshkrimet venedikase Shqipëri quhet vendi nga Ulqini deri në Vlorë.
Mund të thuhet pothuaj pa kurrfarë dyshimi se trungu i popullit shqiptar, së paku sa i takon mesjetës jetonte në masa kompakte në atë gjerësi që arrinte emri Shqipëri dhe qendrën e kishte në Krujë. Nëse duhet shtuar edhe kjo, kufijtë e Shqipërisë mesjetare mund të tërhiqen me saktësi relative, po u morën në konsideratë zonat e sundimit të fiseve të veçanta aristokrate të pastra shqiptare, sundim ky që, duke u nisur nga ndjenja e shquar shqiptare e përkatësisë së tyre fisit, mund të mbështetej vetëm në milieun shqiptar. Nëse pra burimet mesjetare pa asnjë dyshim dëshmojnë se në shekullin XIII sundonte pothuajse i pavarur një fis thjesht shqiptar në disa gjenerata me qendër në Krujë (Progoni, Gjini, Dhimitri, Golemi); nëse në mënyrë koncentrike në veri dominonin familjet: Dukagjini, Suma, Jonima, Dushmani, ndërsa në bregdet dhe në jug familjet Matrënga, Thopia dhe Muzakaj; nëse shihet qartë se nga Shkodra nëpër Koplik deri në Tuz zotëron një masë e qartë shqiptare dhe në shekullin XIII raguzanët raportojnë për sulme shqiptarësh te lumi Cem; nëse nga dokumentet serbe del qartë se në rrethinën në mes të Vlorës dhe të dy Drinëve sundojnë fise shqiptare, ndërsa nga burimet greke se Dibra është etnikisht shqiptare; nëse në Vlorë në shekullin XIII gjenden fisnikë shqiptarë shumë të greqizuar – mund të përfundohet me të drejtë se koncepti gjeografik i Shqipërisë mesjetare ashtu si u zhvillua ai në shekullin XV, është në të vërtetë një koncept etnik par exellence, dhe se është blloku autokton etnik shqiptar që materialisht mbush kufijt e këtij nocioni.
Fizikisht është në të vërtetë një vend i kyçur nga jashtë, i ndarë nga vendet fqinj me kufij natyrorë pa pothuaj kurrfarë vendkalimi, vetëm drejt verilindjes mund të gjendet një boshllëk i rëndësishëm në vargmale dhe këtu (mbi Prizren) që në mesjetë shqiptari ose më mirë emri shqiptar (në mediumin ilir) kishte kaluar kufijtë e vendit të vet autentik. Dhe ky vend mbulohet në gjerësi dhe në gjatësi nga Illyricum Proprium i romakëve, por sidomos nga Epirus Nova i grekëve, nga Thema Dyrrhachion dhe burimisht nga Dukata e Durrësit e venedikasve dhe kufijt e të cilit përputhen me ato të pjesëve të kishës së Durrësit e cila në shekullin X kishte mbi 15 shufraganë: Stefaniaka (te Vlora), Cunavia, (rreth lumit Mat), Kruja, Lezha, Dioklea (te Podgorica, buz¨lumit Moraça), Shkodra, Drishti, Pulti, Gllavinica (te Vlora), Vlora, Ulqini, Tivari, Cerniku (te Elbasani), Berati dhe Gradac (te Vlora)! Ndonëse që në shekullin XI Tivari u shkëput nga Durrësi, pas fërkimeve të shumta me kryeipeshkvin e Raguzës, Tivari mori vetë ,natyrisht si kryeipeshkvi, sundimin kishtar mbi territoret shqiptare si Shkodra, Drishti, Ulqini etj. Kryesisht në këtë moment kishtar qëndron arsyeja pse ne Tivarin nuk e nxjerrim nga koncepti gjeografik i Shqipërisë mesjetare dhe pse nuk mund të shohim si kufi verior bregdetar shtratin e rrafshët të lumit Buna.

Mbas gjithë asaj që u tha, konceptin shkencor gjeografik i Shqipërisë mesjetare rrjedhimisht në mënyrë të shkurtë mund ta definojmë kështu: Shqipëri mesjetare është katërkëndshi Tivar-Prizren-Ohër-Vlorë. Mirëpo kufijt më të saktë janë këta: Nga Tivari mbi Pass Suterman-in, tashmë të njohur në mesjetë, përmes Liqenit të Shkodrës te lumi Moraça, pastaj përgjatë lumit Cem deri te burimi i tij. Mbi Bjeshkët e Nemuna, Mali Kakinjo (Albanische Knoten), Nyjet shqiptare dhe burimi i: Valbonës mbi lumin Erenik nën Gjakovë në Drinin e Bardhë, mbi Prizren, Lumë, Drinin e zi, kur dihet se Dibra i takonte Shqipërisë, përmes vargut të maleve që shkon paralelisht me luginën e Drinit deri te Liqeni i Ohrit, nëpër bregun perëndimor të liqenit, nëpër Podgorac (Pogradec?), Radoshe, lumin Dieval, përgjatë lumit Tomorrica, te lumi Osum në jug të Beratit, përgjatë lumit Osum nëpër degën e tij Prroni i Selës në kthesën kryesore të Vjosës dhe nëpër degëzimin e saj Sushicën, poshtë Vlorës deri në bregdetin e Adriatikut. Periferia e harkut me radiusin Krujë-Vlorë përputhet më së shpeshti me këta kufij dhe i përfshin të gjithë ata në vete!
Reunioni i ambasadorëve të fuqive të mëdha i ka përcaktuar kufijtë e Shqipërisë së ardhshme. Rrjedha autentike e këtij akti nuk i është e njohur autorit të këtij artikulli. Por atij i është e njohur se patjetër duhet të krijohet një Shqipëri e aftë për të jetuar dhe në bazë të kësaj ai mund të kumtojë i qetë se bërthamën e Shqipërisë së ardhshme muhamedane-katolike mund ta ndërtojë vetëm Shqipëria historike në mes të Tivarit – Prizrenit – Ohrit dhe Vlorës, prej nga është e pamundur të shkëputet Shkodra. Shqipëria, gjendja e sotme e së cilës si pasojë e sundimit turk ka rënë shumë poshtë nivelit të saj jetësor shumë të zhvilluar mesjetar, duhet të lidhet për konceptin gjeografik, në të cilin dikur, sikur në Monade-n e Leibnitz-it pasqyrohej i tërë cosmosi i Ballkanit.

Botuar në: Pester Lloyd. Budapest,13 prill 1913, viti 60, nr. 13, f. 4.

(Përkthyen nga anglishtja: dr. Musa Ahmeti
dr. Etleva Lala)

MILOSAO

 

 

About these ads
  1. Lini një koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: