WILLIAM SHAKESPEARE

William Shakespeare  është dramaturgu mw i njohur anglez dhe është bërë i njohur me “Hamletin”, pastaj me veprën e “Makbeth-it” etj. Uiliam Shekspir lindi në Stratford mbi Avon më 23 prill të vitit 1564. Interesante është fakti se 23 prilli përkujtohet njëkohësisht edhe si dita e vdekjes së tij, 23 prill 1616.

Uiliami ishte biri i tretë i John dhe Mary Shakespeare. Nga tetë fëmijët e tyre mbijetuan katër, dy prej të cilëve u bënë aktorë: Uiliami dhe vëllai i tij më i vogël Edmund, lindur më 1580, i cili shkoi me të në Londër.

Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese që nuk u shfaqen kurrë nëpër skenat angleze. Shekspiri ishte edhe autor i 154 soneteve dhe i një numrit të madh poemash, disa prej të cilave janë konsideruar si shembuj më të shkëlqyer të letërsisë angleze që është shkruar ndonjëherw.

Aftësia e tij qëndronte në të hedhurit e rrëfimit-përtej, për të përshkruar kështu pamjet e brendshme dhe të thella të natyrës njerëzore. Mendohet se pjesën më të madhe të veprave të tij t’i ketë shkruar mes viteve 1585 1611, edhe pse datat dhe kronologjia e veprave që i atribuohen atij nuk njihen me saktësi, duke shkaktuar kështu mangësi në lidhje me hartimin e një biografie të thellë dhe të plotë për këtë figurë madhore të letërsisë.

Disa nga tragjeditë më të famshme të Shekspirit janë: Hamleti, Romeo e Xhuljeta, Henriku IV, Makbeth, ndërsa nga komeditë përmendim: Shumë zhurmë për asgjë, Nata e dymbëdhjetë, etj.

Rihapet debati për identitetin e shkrimtarit: S’ka mundësi që veprën ta ketë shkruar një person i vetëm.

Ka qenë vërtet, apo jo Shekspiri, kjo është çështja. Debati për vërtetësinë e tij si një person dhe shkrimtar i vetëm, apo si një grup personash, që shkruanin nën të njëjtin emër, është rihapur edhe një herë, për të hedhur më tepër dritë rreth identitetit të njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës.

Disa nga aktorët më të njohur që kanë luajtur pjesë të Shekspirit kanë rihapur sërish debatin nëse Uilliam Shekspiri, një njeri i rëndomtë, i pashkollë dhe pak i njohur madje edhe në Stratford mbi Ajvën, të ketë shkruar të gjitha ato vepra që mbajnë emrin e tij.

Aktorët e mirënjohur Derek Xhejkobi dhe Mark Rajlens, ish regjisorë të teatrit tw Shekspirit “Shakespeare’s Globe Theatre” në Londër, zbuluan një të quajtur “Deklaratë e dyshimeve të arsyeshme” mbi autorësinë e Shekspirit, ndjekur nga një shkrim kur emri i Shekspirit qe i mirënjohur, shkrimi titullohet “Unë jam Shekspiri”. Aktorët kanë bërë një punë hulumtuese rreth identitetit të bardit, pikërisht në Çiçester, në jug të Anglisë.

Një idustri e vogël akademike është zhvilluar rreth çështjes së provave për identitetin e Shekspirit. Sipas shumë dyshuesve nuk është e mundur që një djalosh province të shkruante pjesë kaq të bukura e të pëlqyera, madje duke demonstruar një nivel ekspertize në fushën e së drejtës, në njohjen e historisë së lashtë dhe të modernitetit si dhe në njohjen e matematikës. Kjo shihet si e pamundur nga mëtuesit e teorisë se Shekspiri nuk i kishte shkruar vetë pjesët.

Autori “ i vërtetë” është identifikuar në një seri emrash, shkrimtarë dhe filozofë të së shkuarës, si Kristofor Marlou, Frensis Bekoni, ose Eduard de Vere.

“Unë jam për një grup autorësh. Nuk mund të mendoj se vetëm një person i vetëm mund t’i shkruante të gjitha këto pjesë kaq të arrira”, – thotë Xhejkobi. “Unë mendoj se kryesori mund të ketë qenë de Vere, gjithashtu besoj se një autor gjithmonë shkruan shumë mirë për çfarë ai njeh më mirë, për eksperiencat e tij në jetën private dhe për personalitetin e tij”.

Deklarata iu dërgua Koalicionit për Autorësinë e Shekspirit dhe u firmos online nga 300 vetë, duke pretenduar të provokojë kërkuesit që të ndriçojnë autorësinë e punëve të tjera, përveç pjesëve të teatrit, për shembull kush është autori i soneteve dhe poemave që vazhdojnë t’i atribuohen Shekspirit?

Xhejkobi dhe Rajlensi paraqitën një kopje të dokumentit tek Uilliam Leahi, shef i Departamentit të Anglishtes në Universitetin e Brunelit në Londrën perëndimore dhe shef i të parit Program Diplomimi në Studimet për Autorësinë e Shekspirit, të cilat fillojnë këtë muaj.

Dokumentet thonë se nuk ka ndonjë të dhënë që Uilliam Shekspiri të ketë marrë ndonjë pagesë ose të ketë siguruar ndonjë patronazh për të shkruar. Dhe ato shtojnë se sipas të gjitha dokumenteve ekzistuese për Shekspirin, të gjitha janë joletrare, s’kanë të bëjnë me faktin se ky person ka pasw bërë letërsi.

Ata gjithashtu përqendrohen tek një frazë mjaft e njohur si e thënë nga Shekspiri kur ai paskësh lënë gruan, “Krevati im i dytë më i mirë me gjithë pajisjet”, ata theksojnë përmbajtjen e kësaj fraze si të paqartë dhe që s’ka lidhje me librat, pjesët e tetarit, ose poemat. Kjo nuk thotë asgjë për Shekspirin shkritmar.

Deklarata përmban 20 dyshime të mirënjohura edhe në të kaluarën, që mbajnë autorësinë e Mark Tuenit, Orson Uellesit, Sër Xhon Gielgundit dhe të Çarli Çaplinit.

Ata pohojnë se ka pak lidhje midis jetës së Shekspirit dhe punëve të tij si shkrimtar, por ata shohin një lidhje mjaft të madhe midis njerëzve të shtresës së lartë dhe detajeve që përshkruhen në veprat e Shekspirit, po ashtu midis po këtij grupi njerëzish dhe vendeve që përshkruhen në pjesët shekspiriane, si për shembull Italia.

“Është një pyetje legjitime, ka një mister midis subjektit dhe vërtetësisë së tij dhe një diskutim intelektual do të na çojë ne afër e më afër zbulimit të subjektit të vërtetë” thotë Leahi. “Kjo s’do të thotë se ne nuk i jemi përgjigjur asgjëje akoma, por pyetja mbetet ende e hapur dhe pret të sqarohet: Kush ishte në të vërtetë Shekspiri?”

Mbi 300 personalitete mendojnë se gjeniu është dikush tjetër.

Dyshimi kryesor janë provat e pakta të ekzistencës që ka lënë pas vetes dramaturgu anglez.

Ashtu si autopsitë e trupave të alienwve dhe pranisë së një qitësi të dytë në vrasjen e Presidentit amerikan Kenedi, besimi se emri i Shekspirit është veç një mbulim dhe se i ka shkruar dikush tjetër veprat e tij nuk arrin të çrrënjoset. Skeptikët nisën ta vinin në dyshim identitetin e vërtetë të gjeniut në fund të shekullit XIX. Që atëherë, teoria e ekzistencës së një autori tjetër ka fituar legjitimitet falë këmbënguljes së disa studiuesve dhe historianëve. Tani, thuajse 300 personalitete kanë kërkuar publikisht që teoria e tyre të merret seriozisht në konsideratë.

Më 10 shtator, aktori shekspirian Derek Xhekobi dhe ish-drejtori artistik i “Shakespeare‘s Globe Theatre”, Mark Rilans, shpallën publikisht “deklaratën e dyshimit të arsyeshëm”. I përpiluar nga “Koalicioni i autorësisë së Shekspirit” (një fondacion dedikuar tërheqjes së vëmendjes së publikut mbi identitetin e vërtetë të gjeniut të dramës), dokumenti i kërkon botës akademike të pranojë se “ka mjaft hapësirë për të pasur dyshime mbi identitetin e Shekspirit” dhe që këtij problemi t‘i jepet rëndësia e duhur nga ana e studiuesve.

Bashkë me firmat e Xhakobit dhe Rilensit gjenden ato të Çarls Çamplin, ish-redaktori për artin i së përditshmes amerikane “L.A. Times”; Maikëll Delahoid, profesor në Universitetin e Uashingtonit dhe Robin Foks, profesor i teorisë shoqërore në Universitetin Rutxhers të Nju-Xhersit. Por edhe disa emra më të famshëm, si Mark Tuein, Çarls Dikens dhe Orson Uells, gjenden në listën njerëzve që besonin se nën firmën e Shekspirit fshihej dikush tjetër.

Në zemër të debatit qëndron fakti se, për një njeri aq të aftë me penën, e që e kaloi jetën duke shkruar, Shekspiri ka lënë prapa shumë pak prova të ekzistencës së tij. Pjesa më e madhe e studiuesve bien dakord se ekzistojnë mjaftueshëm prova për të vërtetuar se Uilliam Shekspir lindi në Stratford mbi Avon, u bë aktor dhe u kthye në qytetin e lindjes deri kur vdiq në vitin 1616. Por udhët e mbështetësve të secilës teori ndahen pikërisht këtu.

Stratfordianët, siç njihen, besojnë se Uilliam Shekspir është i njëjti individ që shkroi atë, që më pas do të vlerësohej si vepra më e madhe letrare në historinë britanike. Antistratfordianët thonë se nuk ekziston asnjë e dhënë bindëse për të lidhur Shekspirin me dramat, poemat dhe punët e tjera që i atribuohen atij. Dhe kështu nis loja e polemikave.

Stratfordianët vërejnë se emri i Shekspirit është shtypur në faqet e shumë dramave të publikuara gjatë kohës që ishte gjallë. Antistratfordianët nënvizojnë se askush nuk e ka idenë as si e shkruante Shekspiri emrin e vet: gjenden vetëm gjashtë firma të hedhura me shpejtësi nga dora e tij, të cilat mund të lexohen në mënyra të ndryshme. Stratfordianët thonë se disa bashkëkohës e zënë në gojë Shekspirin në veprat e tyre; pala tjetër këmbëngul, se i referohen vetëm si aktor, pa e përmendur kurrë si autor.

Pastaj, ekziston një dallim i qartë mes jetës së Uilliam Shekspir dhe jetëve për të cilat shkroi në veprat e tij. Antistratfordianët dalin me tezën se vepra e tij karakterizohet nga njohja e shkëlqyer e literaturës botërore, e gjuhës, e jetës aristokratike dhe udhëtimeve jashtë vendit – gjëra që duhej të ishin krejt të huaja për aktorin e një qyteti të vogël pa shkollim universitar. Siç shkruhet në Deklaratë, “studiuesit nuk kanë asnjë ide për mënyrën si ai e krijoi atë bagazh të thellë e të detajuar njohurish që tregohet më së miri në vepër”. Është kjo arsyeja për të cilën për të gjetur Shekspirin e vërtetë këta studiues i hedhin sytë tek aristokratët dhe njerëzit që kishin luksin për të udhëtuar nëpër botë. Eseisti Frensis Bekon, poeti dhe dramaturgu Kristofer Marlou, aristokrati Eduard de Ver: janë këta kandidatët më të mundshëm.

Por pala tjetër e hedh poshtë me forcë këtë snobizëm, duke thënë se edhe një formim më se normal do të kish mjaftuar që Uilliami të arrinte të shkruante veprat e famshme. Dhe këtë stratfordianët kërkojnë ta argumentojnë, duke ngulmuar te fakti që shumica e dramave të Shekspirit janë adoptuar nga vepra më të hershme. Sipas tyre, Uilliami u mbështet tek autorë të tjerë për të kompensuar atë që nuk kishte marrë në universitet apo përvojat e munguara të udhëtimeve. “Ata argumentojnë se Shekspiri në vepra është mbështetur shumë edhe te përvojat personale”, thotë Xhonatan Beit, një ndër emrat kryesorë të stratfordianëve. “Por një imazh i tillë – ku shkrimtari fut shumë nga vetja në vepër – i autorëve është shumë i vonshëm, një ide shumë romantike në literaturë. Në kohën kur Shekspiri shkroi punët e tij, nuk veprohej kështu”.

Por pak rëndësi ka fakti nëse këto kryevepra të letërsisë botërore i shkroi Shekspiri, De Veri apo Frensis Bekon – çfarë do ndryshojë në rëndësinë e tyre në rast se mësohet që autori ka përdorur emër të rremë. Përse gjithë kjo zhurmë? Që të dyja palët i mëshojnë idesë se zbulimi i identitetit të njeriut që qëndron pas “Hamletit” e “Mbretit Lir” është thelbësor për kuptimin e veprave. “Interpretimi që i bëjmë veprave të Shekspirit do të ishte krejt i ndryshëm në rast se do dinim me saktësi kush i shkroi”, thotë Bill Ribinshtein, profesor historie në Universitetin e Uellsit, njëherësh edhe këshilltar akademik në fondacionin “Koalicioni i autorësisë së Shekspirit”. “Në rast se ka qenë i përfshirë thellësisht në politikë, për shembull, çdo rresht i secilës vepër do të kishte motivime të tjera”, shton profesori.

Me anë të “Deklaratës së dyshimit të arsyeshëm”, firmëtarët e koalicionit nuk duan të thonë se dinë kush i ka shkruar punët e Shekspirit, por që kjo pikëpyetje “të vlerësohet me rëndësinë e duhur nga qarqet akademike, si një çështje së cilës i duhen kushtuar studime e thellime”.

Me këtë shpresë, Uilliam Lihi, kreu i katedrës së anglishtes në Universitetin Brunel, për herë të parë do të përfshijë në kurset e tij edhe leksione mbi autorësinë e Shekspirit. “Studimet mbi Shekspirin merren me veprën e tij, duke e trajtuar nga shumë këndvështrime – feminist, postkolonialist, historik”, thotë ai. “Mendoj që do të ishte rëndësishme që ta përfshinim edhe autorësinë mes tyre”.

Mediat italiane: Shekspiri është yni, quhej Florio

Nga vendi fqinj hidhet një tjetër tezë për origjinën italiane të dramaturgut të madh

Ç‘nuk është thënë për identitetin e vërtetë të Uilliam Shekspirit. Shumë besojnë se Uilliam Shekspir është i njëjti individ që shkroi atë, që më pas do të vlerësohej si vepra më e madhe letrare në historinë e letërsisë botërore. Për disa, njeriu dhe emri nuk kishin fare lidhje me njëri-tjetrin. Sepse, dikush në gjendje të shkruante kryevepra si ato të Shekspirit, nuk mund të ishte i pashkolluar e të rridhte nga shtresa jo të larta të shoqërisë, duhej të vinte patjetër nga ambientet aristokratike. Të tjerë e hedhin poshtë me forcë këtë snobizëm, duke thënë se edhe një formim më se normal do të kish mjaftuar që Uilliami të arrinte të shkruante veprat e famshme. Një palë i mëshojnë emrit të filozofit të madh britanik Frensis Bekon. Vetëm një mendje si e tija mund t‘i jepte jetë një vepre të atilla përmasave. Së fundmi po fiton gjithnjë e më shumë pikë kandidatura e aristokratit Eduard De Ver, njeri i shkolluar, me talent të spikatur letrar e shumë pranë mbretëreshës së Britanisë. Ajo që e detyronte të përdorte pseudonim, thonë mbështetësit e tij, ishte fakti që aristokratëve të rangut të lartë ua ndalonte etika të shkruanin për masat e gjera. E megjithatë mbretëresha nuk mund të lejonte që një talent i tillë të shkonte dëm. E lejoi të shkruante nën pseudonim, madje i lidhi një rentë të majme vjetore deri në fund të jetës. Ky fakt, thonë mbështetësit e kësaj teorie, është një e dhënë më shumë për të vërtetuar këtë tezë: Mbretëresha Elisabetë shquhej për koprracinë e tepruar, nuk ka dyshim që ato para ia ka dhënë për ta shpërblyer për kryeveprat artistike.

Kohë pas kohe në këtë lojë hyjnë edhe italianët. Pak vite më parë, një studiues nga vendi fqinj arrinte në përfundimin se gjeniu i veprave nuk mund të ishte veçse një italian shumë i ngritur, i emigruar në Angli. Atje ishte martuar me një angleze të sërës së lartë, me formim të shkëlqyer gjuhësor, e cila edhe kishte përkthyer në atë anglishte të kulluar shkrimet e të shoqit. Ndërkohë që pretendimi i fundit italian u ngrit vetëm përpara pak ditësh. Sipas një studimi të kryer së fundmi kryeveprat e letërsisë botërore i ka shkruar një letrar i madh, i lindur në Londër, por me origjinë nga krahina Toskane e Italisë (sipas disa tezave të tjera mund të ketë qenë edhe sicilian). Më saktësisht, autori i vërtetë i kryeveprave të cilat i atribuohen gjeniut nga Stratfordi quhet Xhon Florio. Pretendim i hedhur edhe më parë, që sigurisht do t‘i bëjë britanikët të rrudhin hundët. Ka ardhur si rezultat i studimeve të gjata të një të pasionuari pas letërsisë, të quajtur Saul Xherevini, nga Masa, i cili ka jetuar për njëfarë periudhe në Angli dhe pas pak kohësh do të publikojë të plotë studimin ku bëhet ky “zbulim sensacional” (mediat italiane e konsiderojnë të tillë).

Disa pjesë të studimit u publikuan përpara pak ditësh në të përditshmen “Il Tirreno”. Për mediat italiane që pasqyruan menjëherë “sensacionin”, ky “bazohet në sasi të konsiderueshme dokumentacioni dhe është realizuar me një modus operandi të denjë për investiguesit më të mirë. Në të gërshetohen dokumente, tekste, biografi e kritika”. Sipas vetë studiuesit, “dramaturgu më i madh në letërsinë botërore kishte vënë në dispozicion vetëm emrin. Qe një injorant pa kurrfarë përvoje intelektuale, ndërkohë që Florio ishte një mësues shumë i respektuar gjuhe (mes nxënësve të shumtë konti i Sutheptonit, fëmijë mbretërish e, madje edhe vetë Ana, mbretëresha e Danimarkës). Bëhet fjalë për një nga letrarët më të rëndësishëm të letërsisë e kulturës së epokës elisabetiane”. Ndërkohë që studimi nuk e vë në dyshim ekzistencën e një njeriu të quajtur Uilliam Shekspir, siç bëjnë disa rryma të tjera studiuesish, por nënvizon se nuk qe e tija dora që i shkroi veprat.

“Shekspiri – shpjegon Xherevini – kishte dhënë borxh emrin ndërkohë që Florio ishte mendja dhe pena që shkroi kryeveprat e dramaturgjisë. Së bashku përbënin çiftin e përsosur për të sajuar diçka të tillë, duke qenë se jetonin në të njëjtat ambiente dhe në të njëjtën periudhë historike. Që të dy, jo vetëm njiheshin mirë, por bashkëpunonin aktivisht, duke krijuar atë që sot do të quhej biznes i frytshëm. Florio ishte i detyruar të punonte nën hije, pasi nuk mund të ekspozohej politikisht dhe në jetën publike për shkak të një njolle të trashëguar nga i ati, përveç të qenit i pranishëm në oborrin e mbretëreshës Elisabetë të Anglisë. Po të analizohen shkrimet e të gjitha epokave, janë të shumta dyshimet mbi identitetin e vërtetë të Shekspirit”.

Si mund të jetë e mundur, këmbëngul autori italian i studimit, që flitet për Shekspirin si një poet i zakonshëm që di pak latinisht dhe edhe më pak greqisht. “Të gjithë e dinë mirë se ç‘vend zënë në veprën e Mjeshtrit këto dy gjuhë. Ndërkohë që nuk ka prova se Uilliam Shekspiri dinte shkrim e këndim. Nuk gjendet asgjë, as letra, as shkrime që të jenë shkruar nga dora e tij. Thjesht nuk gjendet asgjë. Ky aspekt është dokumentuar tashmë. E kanë parë vetëm të dorëzonte tekste të gatshme për shtyp, të cilët qenë pas edhe një gabim të vetëm”.

Me pak fjalë, Saul Xheravini nuk ka asnjë dyshim se pas emrit të Uilliam Shekspir fshihej Xhon Florio. Ndërsa për një të përditshme italiane “qëllimi i gjithë kësaj nuk është vjedhja e një miti nga anglezët, por t‘i jepet merita dhe vlerësimi i duhur një njeriu me kulturë e prejardhje italiane”. Njëherësh studimi duhet t‘i japë përfundimisht fund gjithë atyre debateve mbi identitetin e dramaturgut. “Tani – shkruhet në të përditshmen italiane – nuk duhet bërë tjetër veç pritjes së reagimit të anglezëve. Sigurisht që nuk do t‘u vijë shumë mirë që i përkëdheluri i tyre nuk ishte tjetër, veç dikush që i kishte dhënë borxh emrin një italiani”

About these ads
  1. #1 nga Drilona Ramaj më Maj 29, 2013 - 9:00 am

    si eshte e mundur qe kane kaluar kaq shume shekuj dhe ju vetemt tani po i thoni keto gjera? eshte nje shprehje qe thote:- “Genjeshtart jane si qirinjte, te ndricojne ne erresire,por nuk te nxjerrin ne drite”. Sipas kesaj kuptohet qe nese kjo do te ishte e vertete do te zbulohej qe ne kohen e Shekspirit dhe jo vetem tani.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: